Uashingtoni ka miratuar 210 milionë euro në ndihmë të mbrojtjes për tri shtetet në kufirin lindor të NATO-s.
Sipas zyrtarëve të mbrojtjes estoneze, SHBA-ja ka aprovuar një seri të re mbështetjeje ushtarake për Lituaninë, Estoninë dhe Letoninë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Uashingtoni ra dakord të sigurojë një total prej 228 milionë dollarësh (210 milionë euro) në ndihmë të mbrojtjes nën Iniciativën e Sigurisë Baltike.
Të tri vendet – të gjitha anëtarët e NATO-s dhe BE-së – janë fqinjë të Rusisë dhe aleatit të saj Bjellorusi.
Pushtimi i Ukrainës nga Moska ka shkaktuar rritje të tensioneve në rajon, i cili dikur ishte i pushtuar nga BRSS.
“Mbështetja nga SHBA-ja ka ndihmuar në mënyrë të konsiderueshme Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë të përshpejtojnë disa projekte të infrastrukturës ushtarake dhe zhvillimit të aftësive”, citohet të ketë thënë në një deklaratë ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur.
“Lajmi i mirë është se mbështetja është pak më e lartë se vitin e kaluar”.
“Kjo [ndihmë financiare] dërgon një sinjal të qartë se SHBA, aleati më i madh në NATO, është i përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë”, shtoi ai.
Iniciativa e Sigurisë Baltike, e krijuar në vitin 2020, synon të rrisë aftësinë dhe ndërveprueshmërinë e forcave të armatosura në Estoni, Letoni dhe Lituani, me ndihmën e ushtrisë amerikane.
Financimi i SHBA-së është i fokusuar në zhvillimin e mbrojtjes ajrore, forcave tokësore dhe ndërgjegjësimit për situatën detare në shtetet baltike, tha ministria e mbrojtjes e Estonisë. /Telegrafi/