Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, priti sot (e hënë) në takim Kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Në këtë takim, ministri Gashi e kryetari Latifi kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare për projektin “Ndërtimi i palestrës sportive në Rahovec – faza e tretë”.
Memorandumi parasheh se Komuna e Rahovecit do të mbështetet financiarisht më vlerë prej 896,327.50 euro për finalizimin e ndërtimit të palestrës sportive, e cila do shërbejë për sportistët e kësaj treve.
“Në përputhje me zotimet tona si MKRS, do përmbushim mandatin tonë duke krijuar kushte në përmirësimin e infrastrukturës në sport”, u shpreh ndër të tjera ministri Gashi.
Ministri Gashi tha se këto investime po bëhen me qëllim të krijimit dhe avancimit të infrastrukturës sportive.
“Pas këtyre investimeve të rinjtë e Rahovecit dhe sportistët e këtij qyteti do të kenë mundësi më të mira për realizimin e aktiviteteve të tyre sportive”.
Ndërkaq kryetari i Rahovecit shprehu falënderim të veçantë për ministrin për nënshkrimin e këtij memorandum, duke e konsideruar këtë veprim të ministri Gashi si të shumë pritur për qytetarët e Rahovecit.
Ky lajm pritet t’i gëzojë jashtëmase qytetarët rahovecian, të cilët kanë më shumë se 10 vite që s’mund ta shikojnë nga afër klubin e zemrës. /Telegrafi/