Emisari i deritashëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka pritur pasardhësin e tij, Peter Sorensen, për të siguruar një tranzicion të qetë të detyrës.
Lajçaku njoftoi se takimi i pranim-dorëzimit është në përgatitje dhe do të shërbejë për kalimin e përgjegjësive pa pengesa.
Peter Sorensen, i cili zyrtarisht merr detyrën më 1 shkurt, zëvendëson politikanin sllovak Miroslav Lajçak, i cili ka shërbyer në këtë post për pesë vite.
Sorensen ka një përvojë të gjerë diplomatike në strukturat e Bashkimit Evropian. Aktualisht, ai është Këshilltar i Lartë për diplomaci digjitale në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS).
Gjatë karrierës së tij, Sorensen ka mbajtur disa pozita të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor, përfshirë:
Përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë;
Shef i delegacionit të BE-së në Shkup;
Këshilltar në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK);
Përfaqësues i posaçëm i BE-së në Serbi;
Anëtar i misionit të OSBE-së në Kroaci.
Përvoja e tij e pasur në rajon ka qenë një ndër arsyet kryesore që Kaja Kallas, presidentja e Komisionit Evropian, ka vendosur ta emërojë Sorensen në këtë rol.
Gjatë mandatit të tij pesëvjeçar, Lajçak ka ndërmjetësuar Marrëveshjen për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është cilësuar si ligjërisht e obligueshme nga BE-ja, por zbatimi i saj ka mbetur pezull.
Bashkimi Evropian ka kritikuar të dyja palët për moszbatimin e marrëveshjes, duke theksuar se kjo do të ndikojë në procesin e tyre të integrimit në BE.
Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka nisur në vitin 2011, ka sjellë disa marrëveshje gjatë viteve, por shumica prej tyre ende nuk janë zbatuar në praktikë.
Glad to meet with my newly-appointed successor as @EUSR_Dialogue Peter Sørensen today. Our handover briefings are in full swing to ensure a seamless transition. pic.twitter.com/MoDmMV2iyp
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) January 28, 2025
twitter.com