Site icon Telegrafi

Lajçak: Me Vuçiqin biseduam për hapat e ardhshëm në dialog

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka takuar sot në Davos të Zvicrës presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me të cilin ka biseduar për hapat e ardhshëm në dialog.

Lajçak, përmes një postimi në platformën X, ka thënë se me presidentin serb kishte një diskutim të rëndësishëm.

“Kisha një diskutim të rëndësishëm me presidentin e Republikës së Serbisë për zhvillimet e fundit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, si dhe hapat e ardhshëm në periudhën e ardhshme. Folëm edhe për çështje aktuale urgjente”, ka shkruar Lajçak, transmeton Telegrafi.

Dy zyrtarët kanë zhvilluar takime në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos të Zvicrës.

Edhe Vuçiq në një postimm në Instagram ka thënë se ka pausr një bisedë e hapur me Mirosllav Lajçakun për situatën në Kosovë.

Sipas Vuçiqit, Serbia ka qasje të përgjegjshme në dialogun mes dy vendeve, por janë veprimet e Prishtinës ato që “vënë në pikëpyetje gjithçka që është arritur deri më tani në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”.

Lexo po ashtu Lajçak takon Vuçiqin në Davos, flasin për dialogun

Në këtë Forum po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por nuk dihet nëse ai do të ketë një takim me Vuçiqin këto ditë.

Ditë më parë, Lajçak ka diskutuar për dialogun edhe me zëvëndëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, po ashtu në Davos, me të cilin ka biseduar për tema të dialogut, me theks të veçantë nevojën për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo Marrëveshje është arritur në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel.

Në mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, palët janë pajtuar për një aneks zbatimi, por sipas zyrtarëve të BE-së nuk janë marrë hapa në atë drejtim.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut. /Telegrafi/

Exit mobile version