Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, pas takimit me kryenegociatorin e Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se Ura e Ibrit duhet të hapet, mirëpo në koordinim me aleatët ndërkombëtar.
Ai këto komente i bëri pas takimit në Qeveri të Kosovës me zëvendëskryeministrin Bislimi.
“Biseduam se sa progres është arritur nga takimet e fundit. Diskutuam çështjen e Urës së Ibrit dhe hapjen e saj për transport. Qëndrimi i BE-së është i mirënjohur, por po e përsëris… duhet të hapet, por hapja duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Lajçak.
I dërguari i BE-së tha tutje se me Bislimin kanë diskutuar edhe për takimin në Bruksel që pritet të mbahet në ditët në vijim në mes të kryenegociatorëve.
Ai tha se një çështje e rëndësishme është se si të zhbllokohet zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e raporteve dhe lidhur me këtë kanë pasur bisedime në detaje me Bislimin.
Lajçak është pyetur edhe rreth protestës së serbëve që kanë paralajmëruar se do ta nisin sot në pikat kufitare me Kosovën, në pjesën serbe.
“Shpresoj të mos ketë bllokim, sepse ka impakt negativ në lirinë e lëvizjes dhe jetën e njerëzve”, tha ai.
I dërguari i Bashkimit Evropian ritheksoi se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe janë duke punuar që të zbatohet.
Sipas tij, nga kjo marrëveshja nuk është tërhequr asnjëra palë, as Kosova e as Serbia, gjersa foli edhe për letrën e ish-kryeministres serbe, Ana Brnabiq.
“Letra (e ish-kryeministres Ana Brnabiq) është tërhequr…. marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai. /Telegrafi/