I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi po qëndron sot për vizitë në Prishtinë, ndërsa ka takuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Lajçak pas takimit me Bislimin një deklaratë për media ka folur edhe për Marrëveshjen e Ohrit, për të cilën tha se është ligjërisht obligative në tërësinë e saj dhe janë duke punuar që të zbatohet.
Sipas tij, nga kjo marrëveshja nuk është tërhequr asnjëra palë, as Kosova e as Serbia, gjersa foli edhe për letrën e ish-kryeministres të Serbisë, Ana Brnabiq.
“Letra (e ish-kryeministres Ana Brnabiq) është tërhequr…. marrëveshja si e tillë është e vlefshme në tërësinë e saj dhe është bërë pjesë e rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai.
Ndryshe, në fund të vitit të kaluar ish kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, i kishte dërguar një letër vendeve të BE-së ku Serbia kishte shprehu mëdyshje për Marrëveshjen për normalizimin e raporteve.
Letra e ish-kryeministres së Serbisë theksonte se Serbia ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe paraqiste herën e parë që ky shtet me shkrim deklaronte se nuk do t’i zbatojë disa nene të kësaj marrëveshjeje, gjegjësisht neve që kanë të bëjnë me njohjen de facto dhe de jure të Kosovës. /Telegrafi/