Site icon Telegrafi

Lajçak thotë se ndihet i zhgënjyer me vendimet për Ballkanin Perëndimor

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Samiti BE-Ballkani Perëndimor ka zhgënjyer sërish vendet e rajonit.

Ai në një postim në Twitter ka shkruar se kanë ndërmarr vendime për Evropën Lindore, por jo edhe për Ballkanin Perëndimor.

“Ne morëm një vendim gjeopolitik për Evropën Lindore, por nuk mund të kemi të njëjtin këndvështrim strategjik për Ballkanin Perëndimor. Kjo gjeneron zhgënjim të thellë në rajon. Jam krenar për udhëheqjen tonë evropiane në Lindje, por ne duhet ta rifitojmë atë për fqinjët tanë juglindorë”, ka shkruar Lajçak, transmeton Telegrafi.

Një ditë më parë u mbajt Samiti i Bashkimit Evropian me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa përveç retorikës së kamotshme se BE  është e përkushtuar ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit, nuk doli diçka konkrete nga ky samit as sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.

Megjithëse kishte shpresa se do të lëvizte diçka në këtë drejtim, Kosova vazhdon të mos e gëzojë të drejtën e lëvizjes së lirë ndonëse Komisioni Evropian dy herë ka theksuar se vendi i ka plotësuar kushtet.

Përveç Kosovës, edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbetën peng të vetos së Bullgarisë, e cila ka mosmarrëveshje me shtetin maqedonas.

Ndër konkluzat e Këshillit Evropian është Bashkimi Evropian është plotësisht dhe pa mëdyshje i përkushtuar ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE të Ballkani Perëndimor dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. /Telegrafi/

Exit mobile version