Emisari special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është takuar sonte në Bruksel me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë diplomati sllovak përmes një postimi në Twitter.
“Mirë që u takova përsëri me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Unë e përgëzova atë për fitoren e tij të fundit në zgjedhje dhe diskutova mbi zhvillimet e fundit rajonale dhe rolin e BE-së në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Lajçak.
Ndryshe, liderët nga Ballkani Perëndimor në mesin e tyre edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, patën sonte një darkë pune në Bruksel në prani të nikoqirit, ministrit të Jashtëm të BE-së Josep Borrell,
Borrell njoftoi para takimit se ai do të diskutojë situatën në rajon, perspektivën gjeopolitike të marrëdhënieve dhe angazhimin e shtuar të BE-së në Ballkanin Perëndimor me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.
“Ballkani Perëndimor është një çështje e madhe gjeopolitike. Rajoni është pjesë e problemit dhe pjesë e zgjidhjes. Ne duhet ta shohim atë nga një këndvështrim gjeopolitik dhe ne do ta bëjmë atë javën e ardhshme me të gjithë udhëheqësit nga Ballkani Perëndimor,” tha Borrell.
Good to meet again with Prime Minister of Albania, @ediramaal. I congratulated him on his recent election victory and discussed the latest regional developments and the EU’s role in the Western Balkans. pic.twitter.com/RCJY40OVUe
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) May 18, 2021