Telegrafi

Lajçak takon komandantin e KFOR-it, bisedojnë për zhvillimet aktuale

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Mirosllav Lajçak në ditën e parë të vizitës në Kosovë është takuar sot edhe me komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Franco Federici.

“Sot u takova me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë dhe komandantin e KFOR-it për të diskutuar për zhvillimet aktuale. Mundësi e mirë për të konfirmuar unitetin tonë të fortë transatlantik”, ka shkruar diplomati sllovak në Twitter.

Lajçak po qëndron në Kosovë në një vizitë treditore ku do të takohet me liderët politikë të vendit.

Ai sonte është takuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett.

Lajçak vazhdon vizitën në Kosovë të martën, me një takim me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, të paraparë për në orët e mëngjesit. /Telegrafi/