I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë një përmbledhje të takimeve gjatë së enjtes në Bruksel.
Lajçak duke folur për detyrimet që i takojnë palëve t’i përmbushin, tha se edhe Serbia ka shumë obligime të pazgjidhura nga marrëveshja.
“Edhe Serbia ka shumë obligime të pazgjidhura nga Marrëveshja dhe ne duhet të shohim që zbatimi të përparojë paralelisht, në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të marrin atë që kanë rënë dakord. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa. Siç u shpreh qartë tre liderët evropianë, formalitetet nuk duhet të pengojnë këtë proces të rëndësishëm. Me këtë në mendje, unë do të ftoj kryenegociatorët së shpejti në Bruksel për të diskutuar hapat e ardhshëm”, ka thënë Lajçak.
Ai theksoi se takimet u mbajtën me qëllim që të vazhdohen diskutimet gjatë misionit të përbashkët në Prishtinë dhe Beograd dhe që të avancohet zbatimi i Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit.
“Ato që ishin planifikuar të ishin takime të shkurtra me liderët evropianë, u kthyen në negociata të gjata të ndara me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti pasi liderët evropianë duhej të largoheshin për në Këshill” – tha Lajçak teksa shtoi se e mirëpriti që të dy liderët treguan gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes, megjithëse nuk arritën të bien dakord për modalitetet.
Emisari i BE-së shtoi se shumë shpejt do të ftojë dy kryenegociatorët, atë të Kosovës Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë Petar Petkoviq, për një takim në Bruksel.