Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në përmbledhjen e tij të zakonshme javore ka theksuar se në përmbyllje të javës ka përfunduar edhe përgatitjet e tij për javën e ardhshme, të cilën e ka quajtur ‘dinamike’.
“Me përfundimin e javës, unë po përfundoj përgatitjet e mia për javën e ardhshme dinamike, gjatë së cilës do të jem në Davos të Zvicrës, për të marrë pjesë në takimin e 54-t vjetor të Forumit Ekonomik Botëror. Do të marr pjesë në disa panele diskutimesh dhe do të kem takime të shumta dypalëshe”, ka shkruar Lajçak.
Në forumin e Davosit do të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka konfirmuar se Lajçak do të ketë takime të ndara me liderët e dy vendeve, por ka përjashtuar si mundësi takimin trepalësh.
Ndërkohë, Lajçak në postimin e tij ka shkruar edhe për vizitën që kishte në Paris, ku zhvilloi një sërë takimesh, e të cilat i vlerësoi si ‘shumë konstruktive dhe thelbësore’.
“Objektivi kryesor ishte sinkronizimi i përpjekjeve me homologët e mi francez dhe vendosja e bazave për muajt në vijim. Unë jam mirënjohës për mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme nga Franca në përpjekjet e mia për të lehtësuar dialogun e udhëhequr nga BE dhe për bashkëpunimin e frytshëm që vazhdojmë ta gëzojmë”, ka theksuar Lajçak.
Ai tutje ka bërë të ditur se të mërkurën ka bërë një informim gjithëpërfshirës për ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Bruksel, rreth arritjeve në dialog që nga prezantimi i tij i fundit në tetor si dhe për pritshmëritë për vitin 2024.
Lajçak e ka vlerësuar pozitiv faktin se të dyja palët njohën zyrtarisht targat e automjeteve të njëra-tjetrës, me ç’rast u shfuqizua plotësisht regjimi i afisheve. Ai e ka quajtur këtë ‘një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit’, derisa ka thënë se është arritur ‘progres i konsiderueshëm edhe në zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë’.