Telegrafi

Lajçak optimist se opozita nuk do ta kundërshtojë Propozimin evropian

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimeve me krerët opozitarë në Kosovë, tha se i ka informuar ata në detaje për planin e BE-së për dialogun.

Lajçak këtë të premte takoi kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe së fundmi kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Pas takimit me këtë të fundit, Lajçak tha se nuk është i shqetësuar nëse partitë politike opozitare do t’i thonë jo marrëveshjes. Ai madje u shpreh optimist se ato nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.

Mes tjerash, emisari tha se takimet e kanë përmbushur qëllimin e tij.

“Mendoj se është e rëndësishme në këtë pikë për mua të takohem me partitë opozitare, dhe jam takuar me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në dhe i kam njoftuar për procesin, për pritjet e bashkësisë ndërkombëtare. Ata kanë shpjeguar qëndrimin e partive të tyre. Pra, e gjitha është pjesë e përgatitjes për takimin e datës 18. Mendoj që është shumë e rëndësishme që edhe ata të dëgjojnë nga unë, dhe jo vetëm nga media apo nga Kuvendi, prandaj për mua këto takime kanë përmbushur qëllimin”, tha ai.

Lajçak po qëndron në Kosovë që nga dita e djeshme, ku edhe ka takuar krerët e shtetit./Telegrafi/

Foto nga takimet e emisarit Lajçak me krerët opozitarë: