Telegrafi

Lajçak në takim me Orav diskutojnë për zhvillimet në Kosovë

Shefi i ri i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, ambasadori Aivo Orav ka takuar sot ndërmjetësin evropian për dialogun Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë.

Ambasadori Orav në një postim në rrjetin social X, ka shprehur kënaqësi për takimin me diplomatin sllovak.

“Kënaqësi të takohesha sot me përfaqësuesin special të BE-së Miroslav Lajçak, për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë. Si përfaqësues special i BE-së në Kosovë, pres me padurim të bashkëpunoj me të gjithë aktorët e familjes së BE-së për të forcuar qasjen “Team Europe” në terren”, ka shkruar Orav, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, gjatë ditës, Miroslav Lajçak ka takuar edhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, ku tha se Serbia ka tërhequr letrën dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Kryeminisitrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar i dërgoi BE-së një letër, përmes së cilës, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, dhe Aneksin për zbatim, të arritur në Ohër.

Në atë letër u tha, mes tjerash, se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi në Prishtinë, Lajçak tha se letra është tërhequr dhe marrëveshja është ende valide. Ai po ashtu tha se kohë pas kohe ka deklarata që nuk ndihmojnë në zbatimin e marrëveshje.

“Jo, Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe po punojmë në zbatimin e saj. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe po diskutojmë me Kosovën dhe Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin”, tha Lajçak. /Telegrafi/