Site icon Telegrafi

Lajçak në Rumani flet për zgjerimin e BE-së dhe dialogun Kosovë-Serbi

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka marrë pjesë në një debat të thelluar në Bukuresht të organizuar nga “Këshilli Europian për Marrëdhënie me Jashtë” (ECFR).

Aty ka adresuar çështje të zgjerimit të BE-së dhe hapat e ardhshëm në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“ECFR në Bukuresht sjell në vëmendje temat e zgjerimit të BE-së dhe të dialogut për normalizim. Ishte një kënaqësi të marr pjesë në këto diskutime kaq të rëndësishme,” shprehet Lajçak.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin rumun, Lajçak ka zhvilluar një takim me Ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Luminita Odobescu, ku kanë diskutuar rëndësinë vitale të vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Odobescu ka vlerësuar rolin e Lajçakut si ndërmjetës.

“Ishte një kënaqësi të takohem me Përfaqësuesin Special sot në Bukuresht. Kemi pasur një shkëmbim frytdhënës mbi zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor dhe kam ripërsëritur mbështetjen e Rumanisë për përpjekjet e tij të palodhura për të ndihmuar në përparimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës – një element kyç për të ardhmen e sigurisë dhe stabilitetit në rajon,” thekson ajo në një postim në X.

Duke qenë se Rumania nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por mbështet fort dialogun Kosovë-Serbi, qëndrimi i saj mbetet një faktor i rëndësishëm në dinamikat e Bashkimit Evropian lidhur me Ballkanin Perëndimor./Telegrafi/

Exit mobile version