Telegrafi

Lajçak në New York takon Ramën, Vuçiqin dhe Abazoviqin, flasin për dialogun Kosovë-Serbi dhe situatën në Mal të Zi

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në SHBA ka takuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe kryeministrin në largim të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Lajçak takimet ndaras me tre liderët e Ballkanit Perëndimor i njoftoi përmes postimeve në Twitter, raporton Telegrafi.

Në takimin me Ramën dhe Vuçiqin ka diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, ndërkaq në atë me Abazoviqin për gjendjen politike në Mal të Zi.

“Pata një takim shumë të dobishëm me Edi Ramën në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Ne diskutuam situatën në Ballkanin Perëndimor. Mirënjohës për njohuritë dhe mbështetjen e tij për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, shkruan Lajçak.


I dërguari i BE-së edhe në takimin me presidentin e Serbisë ka folur për dialogun.

“Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë javën e kaluar, unë po ashtu vazhdova bisedën me presidentin e Serbisë, Vuçiq në New York…Ne biseduam për mënyrën si ta çojmë para normalizimin e raporteve me Kosovën”, shkruan ai.

Ndërkaq, me kryeministrin në largim të Malit të Zi është diskutuar për situatën politike atje.

“Bisedova me Dritan Abazoviqin rreth situatës aktuale politike në Mal të Zi. Potencova se BE pret progres të dukshëm të Malit të Zi në reformat drejt BE-së”, shkruan Lajçak. /Telegrafi/