Site icon Telegrafi

Lajçak në Beograd: Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është në interes të Serbisë

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha të entjen në Beograd se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është në interesin kombëtar të Serbisë.

Diplomati sllovak në një shkrim në Twitter bëri të ditur se gjatë qëndrimit në Beograd, ka dëgjuar edhe qendrimet e opozitës lidhur me çështjen e dialogut.

“Më vjen mirë që gjatë kësaj vizite u takova me partitë opozitare parlamentare në Serbi për të dëgjuar pikëpamjet dhe qëndrimet e tyre ndaj dialogut. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është në interesin kombëtar të Serbisë dhe si i tillë ka nevojë për mbështetje ndërpartiake”, tha Lajçak.

Përpara se të udhëtonte në Beograd, më 29 qershor, Lajçak ka qëndruar në Kosovë nga data 27 qershor.

Ai ka  theksuar se është duke punuar për përgatitjen e një takimi midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lajçak përsëriti të enjten se vizita e tij në rajon ka pasur për qëllim përgatitjet për takimin e radhës të liderëve.

“Unë kam ardhur në rajon për t’u përgatitur për takimin e ardhshëm të krerëve dhe për të folur për përparimin dhe normalizimin e marrëdhënieve. Tani duhet ta zgjidhim këtë situatë”, tha Lajçak./Telegrafi/

Exit mobile version