Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po qëndron sot për vizitë në Beograd.
Ai është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryengociatorin e ekipit të Serbisë në dialog, Petar Petkoviq.
Pas këtij takimi Lajçak në një postim në “X” ka shkruar se kanë diskutuar për hapat e mëtejshëm për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit.
“Pas vizitës time në Kosovë, kam udhëtuar edhe në Beograd për tu përgatitur për takimin e kësaj jave të kryenegociatorëve. Me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviq diskutova rrugën përpara në dialog dhe hapat e mëtejshëm për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, ka shkruar Lajçak.
Të enjten në Bruksel do të mbahet takimi i radhës në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq është shprehur se në takimin e së entjes do të diskutohet për draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ne kemi pranuar ftesën e zotit Lajçak për t’u takuar në Bruksel pas dy ditësh, ku do të vazhdojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pala jonë është shumë e përgatitur dhe po shkojmë me një ekip të posaçëm ekspertësh ku do të diskutojmë tekstin e statutit të Asociacionit, që është hapi i parë konkret drejt formimit të Bashkësisë së Komunës Serbe”, tha Petkoviq. /Telegrafi/
After my visit to Kosovo, I also travelled to Belgrade to prepare for this week’s meeting of Chief negotiators. With @predsednikrs and @PetkovicPetar I discussed the way forward in the Dialogue and necessary next steps to implement the Agreement on the Path to Normalisation. pic.twitter.com/yN3m3bg4dL
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) November 14, 2023