Site icon Telegrafi

Lajçak merr mbështetjen e ambasadorëve evropianë në OKB, për avancimin e dialogut Kosovë-Serbi

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka zhvilluar një takim në New York me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian në Kombet e Bashkuara.

Lajçak ka marrë përkrahjen për përpjekjet e avancimit në dialogun mes dyja vendeve.

“Faleminderit Miroslav Lajçak për shkëmbimet e shkëlqyera me ambasadorët e BE-së në nisje të vizitës në Kombet e Bashkuara. Mbështetje e plotë për përpjekjet tuaja për avansimin e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Samiti BE-Vendet e Ballkanit Perëndimor i kësaj jave shfaqi angazhimin e fortë të BE-së për partnerët tanë të afërt”, thuhet në qëndrim.

Vendet e Ballkanit Perëndimor dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë miratuar të mërkurën një deklaratë të përbashkët në samitin që u mbajt në Brdo të Sllovenisë.

Në deklaratën e përbashkët BE-Ballkani Perëndimor përmendet edhe procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në pikën 6 të kësaj deklarate thuhet se “Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Beograd- Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor dhe presim përparim konkret nga të dyja Palët në normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis tyre, i cili është kritik për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar që ata të mund të vazhdojnë në rrugët e tyre përkatëse evropiane”.  /Telegrafi/

Exit mobile version