Site icon Telegrafi

Lajçak: Kosova meriton liberalizimin e vizave

I dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në një konferencë për media kanë thënë se vizita e tyre në Kosovë ka qenë mjaft produktive, ndërsa përveç që ka folur për dialogun, ai tha se Kosova meriton liberalizimin e vizave.

“Kosova meriton liberalizimin e vizave.. Komisioni Evropian ka thënë qartë se Kosova ka plotësuar kushtet, por kjo kërkon konsensus të 27 shteteve.. Vërtetë shpresoj që nuk do të marrë shumë kohë deri në liberalizimin e vizave”, tha ai.

Lajçak para mediave ka deklaruar se ndihet mirë që është në Prishtinë, teksa theksoi se dialogu është primar.

“Ne e përkrahim dialogun, duhet lënë mbrapa gjërat e vjetra dhe tani ka rëndësi vetëm dialogu. Dy ditët që kaluam në Kosovë kanë qenë produktive, ku kemi takuar krerët shtetërorë e po ashtu edhe opozitën. E çmojmë opozitën që po e përkrahë dialogun me Serbinë. Dua të ripërsëris kemi ardhë në Kosovë që të tregojmë unitet dhe përkrahje për Kosovën”, theksoi ai.

Më tej i dërguar i BE-së tha se mandati i tij është i qartë, lehtësimi i një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Bashkimi Evropian  dëshiron ta bëjë të qartë se i takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin se çfarë marrëdhëniesh duan të kenë. Dialogu nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës por me negocimin e marrëveshjes për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

“Ne e shohim dialogun si prioritet në Ballkanin Perëndimor… Normalizimi i marrëdhënieve jo vetëm që do të zgjidh çështjet e pazgjidhura, por kontribuon në stabilitetin në rajon, do të krijojë vende punë, do ta zhvillojë ekonominë. E kemi bërë të qartë se ne e respektojmë parimet e Kosovës  në dialog. Ne kemi pritur progres më të shpejtë në dialog vitin e kaluar por shpresojmë që të jetë kështu këtë vit”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Exit mobile version