Telegrafi

Lajçak e Cramon diskutojnë zhvillimet në Kosovë dhe situatën pas zgjedhjeve në Serbi

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar sot me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, me të cilën ka biseduar mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.

Lajçak, në një postim në rrjetin social X, thotë se e ka njoftuar raportuesen Von Cramon mbi procesin e dialogut.

“Është mirë të shkëmbehen shënimet me anëtaren e Parlamentit Evropian Viola von Cramon sa iu përket zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe më gjerë në rajon. Unë ndava përditësime mbi dialogun e lehtësuar nga BE”, shkruan diplomati sllovak.

Në takim u bisedua edhe mbi situatën pas zgjedhore në Serbi në kuadër të zhvillimeve brenda Parlamentit Evropian.

Ndryshe, Parlamenti Evropian pritet të miratojë rezolutë për zgjedhjet në Serbi, në një seancë plenare në muajin shkurt, pas kërkesës së Komisionit Evropian drejtuar Serbisë që t’i hetojë ankesat për parregullsi gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit 2023.

Debati për Serbinë është futur në rendin e ditës të Parlamentit Evropian pasi një grup partish politike – socialdemokratëve, liberalëve, të gjelbërve dhe të majtëve – kanë bërë kërkesë duke përmendur parregullsitë në zgjedhje si votuesit fantazmë, blerja e votave dhe raportimi i njëanshëm mediatik.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” ka kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve, me akuzat se Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Aleksandar Vuçiq ka vjedhur votat. /Telegrafi/