Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovakisë Mirosllav Lajçak, sot deklaroi se asnjëra nga 28 vendet anëtare të BE-së, nuk ka qenë kundër negociatave me Maqedoninë e Veriut në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave të Jashtëm në Luksemburg.
Ai tha se ka pasur vende që kanë qenë të pavendosur për negociatat me Shqipërinë, ndërsa nuk ka pasur asnjë shtet që ka thënë “jo” për Maqedoninë e Veriut.
“Nuk ka pasur asnjë shtet që ka thënë ‘jo’ për Maqedoninë e Veriut. Vendet anëtare kanë problem me Shqipërinë dhe ky është dyshim që duhet të mendojmë se si do të përballem. Ka një rezolutë nga Kuvendi holandez, që thotë se ata janë kundër ftesës për Shqipërinë dhe mendoj se kjo periudhë deri në tetor duhet të shfrytëzohet nga Qeveria e Tiranës për t’u përballur me këtë shqetësim që ekziston tek vendet anëtare. Ata thanë se nuk është koha për zgjerim, duhet të fokusohemi tek Brexit dhe konsolidimi, por nuk është mohuar se vendi juaj ka bërë punë të shkëlqyer me Marrëveshjen e Prespës dhe ka bërë punë të madhe me reformat, ndërsa tani ngelet që ta bëjmë pjesën tonë dhe t’ju dërgojmë ftesën”, tha Lajçak në konferencë për shtyp në Shkup, ku edhe qëndron për vizitë zyrtare.
Kjo deklaratë e Lajçak është e kundërt nga ajo që sot deputeti i OBRM-PDUKM-së Antonio Milloshoski e publikoi në rrjetet sociale. Sipas tij, shtatë anëtare të BE-së kanë qenë kundër nisjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë edhe atë: Franca, Holanda, Gjermania, Danimarka, Luksemburgu, Belgjika dhe Spanja.
Pohimet e Milloshoskit i ka demantuar edhe Qeveria. Ata në një deklaratë për AIM, përcjell Telegrafi Maqedoni thonë se asnjë shtet nuk ka shprehur dyshime se vendi i ka plotësuar kushtet për anëtarësim në BE.
Sipas disa informacioneve shtetet që më shumë kanë mbështetur nisjen ne negociatave kanë qenë Greqia, Austria, Sllovenia, Sllovakia, Luksemburgu, Hungaria, Rumania, Mallta, vendet baltike dhe eurokomesari Johannes Hahn. Bullgaria ka qenë pozitive, ndërsa Franca e përmbajtur duke kërkuar më shumë kohë për dhënien e datës për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë./Telegrafi/