Site icon Telegrafi

Lajçak dhe Plenkoviq flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është takuar me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me të cilin ka biseduar për procesin e deritashëm në dialog.

Takimi mes emisarit Lajçak dhe kryeministrit kroat u zhvillua në margjinat e Forumit të Dubrovnikut, ku po merr pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Plenkoviq ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për dialogun Kosovë – Serbi.

“Diskutuam situatën politike në Evropën Juglindore dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Plenkoviq në rrjetin social “X”, transmeton Telegrafi.

Lajcak ka folur në një panel diskutimi në Forumin e Dubrovnikut rreth procesit të negociatave mes dy vendeve dhe për letrën që ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ia ka dërguar BE-së duke mos e konsideruar Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit si ligjërisht obligative.

Lajcak ka thënë se BE-ja e ka thënë qartë që marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër janë ligjërisht obligative dhe ka potencuar se obligimet që dalin nga marrëveshja janë edhe pjesë formale e Kapitullit të 35-të për Serbinë, që nënkupton se janë edhe pjesë e raportit në mes të Serbisë dhe BE-së. /Telegrafi/

Exit mobile version