Site icon Telegrafi

Lajçak dhe këshilltari i kancelarit Scholz flasin për hapat e ardhshëm të dialogut Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë së enjtes është takuar me Jens Plötner, kryekëshilltar diplomatik i kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Në një shkrim në Twitter, Lajçak tha se gjatë takimit në Berlin me Plotner është diskutuar për vizitën e fundit të tyre në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.

Po ashtu është folur për hapat e ardhshëm të dialogut Kosovë-Serbi, si proces për normalizimin e mardhënieve mes dyja shteteve.

“Një takim shumë i mirë me Jens Plötner, kryekëshilltar diplomatik i ??kancelarit Scholz, në Berlin. Ne folëm për vizitën tonë të fundit në Ballkanin Perëndimor, si dhe për zhvillimet aktuale dhe hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit. Faleminderit Gjermanisë për mbështetjen e fortë në punën time”, tha Lajçak.

Ndërkaq, ende nuk ka datë të konfirmuar për takimin e radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, megjithëse në takimin e muajit gusht ka pasur pajtueshmëri për takime të rregullta të nivelit të lartë në baza mujore.

Nga Qeveria e Kosovës janë të gatshëm për takime të tilla, siç thonë për t’i shërbyer marrëveshjes finale me njohje reciproke në qendër. Ndërsa në Bashkimin Evropian nuk tregojnë nëse vizita e Lajçak gjatë të enjtes në Kosovë, ka qenë për të përgatitur takimin e nivelit të lartë.

Takimi i fundit i kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq ka qenë më 18 gusht në Bruksel. Aty kreu qeveritar ka thënë se ka prezantuar kapitujt për marrëveshjen finale me njohjen reciproke në qendër./Telegrafi/

Exit mobile version