Telegrafi

Lajçak dhe Escobar vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme.

Ata do të qëndrojnë në Prishtinë e Beograd të hënën dhe të martën, ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai ka bërë të ditur se vizita e tyre do të ketë qëllim kryesor de-përshkallëzimin e tensioneve në veriun e Kosovës.

Tensionet në atë pjesë të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

E SHBA-ja e kritikoi Qeverinë Kurti për veprimet e saj dhe e sanksionoi Kosovën me mospjesëmarrje në stërvitjet ushtarake “Defender Europe 2023”./Telegrafi/