Site icon Telegrafi

Lajçak dhe diplomatët amerikanë bisedojnë për dialogun Kosovë-Serbi

Emisari special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar një takim me Ndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien dhe Zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, me të cilët ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.

Lajçak, përmes një postimi në platformën “X”, ka thënë se mezi pret të vazhdojmë bisedimet javën e ardhshme në Bruksel.

“Gjithmonë e dobishme për të pasur një diskutim strategjik për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe dinamikën rajonale me Ndihmës-Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën O’Brien dhe me zv.ndimës Sekratrain Kasanof. Mezi presim të vazhdojmë bisedimet tona javën e ardhshme në Bruksel”, ka shkruar Lajçak, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, Emisari special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka përmbledhur dy javët e fundit si një periudhë intensive diplomatike, duke u përqendruar në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Pas një takimi me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, në Prishtinë, Lajçak para pesë ditësh udhëtoi drejt Beogradit për t’u përgatitur për takimin e kryenegociatorëve.

“Pavarësisht se nuk arritëm të dakordohemi për agjendën e një takimi trepalësh, ne diskutuam çështje politike dhe teknike dhe shënuam hapa të rëndësishëm për të udhëhequr diskutimet tona të ardhshme”, tha  Lajçak në një postim në Facebook.

Ai gjithashtu vizitoi Parisin ku u takua me kolegë të Ministrisë së Jashtme të Francës dhe këshilltarin diplomatik të presidentit Macron, Emmanuel Bonne. /Telegrafi/

 

Exit mobile version