Lady Gaga kishte përgatitur një befasi të veçantë për fansat e saj në spektaklin e të shtunës në Las Vegas duke interpretuar këngën “Shallow” së bashku me Bradley Cooperin.
Këngëtarja, e cila është nominuar për çmimin Oscar për rolin e saj në filmin “A Star Is Born”, e ka kënduar pikërisht një këngë nga ky film.
Ndërsa për interpretimin e saj e ka ftuar në skenë bashkaktorin e saj nga filmi, i cili është njëherësh edhe producent, regjisor dhe skenarist.
Kur është ngjitur në skenë, Gaga i ka dhënë një përqafim Cooperit dhe pastaj janë përgatitur për këngën.
Derisa aktori këndonte, këngëtarja ka qëndruar ulur pranë pianos dhe e kthyer kah ai. Ndërsa më pas, ajo ka nisur të luajë në piano duke e kënduar pjesën e saj të këngës, derisa 44-vjeçari e përcillte në këmbë.
Dueti “Shallow” i Bradley Cooperit dhe Lady Gagas është nominuar për çmimin Oscar për këngën më të mirë.
“A Star Is Born” është nominuar në tetë kategori në edicionin e 91-të të Academy Awards duke përfshirë nominimin në kategorinë për filmin më të mirë, aktorin më të mirë (Bradley Cooper), aktoren më të mirë (Lady Gaga), aktorin më të mirë në rol dytësor (Sam Elliot) dhe këngën më të mirë (“Shallow”). /Telegrafi/