Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e dorëzanisë prej 30 mijë euro për Sinisa Nedeljkoviqin, i cili dyshohet për veprën penale të prodhimit dhe përpunimit të paautorizuar të narkotikëve, si dhe armëmbajtjes pa leje.
Në vendimin e gjykatës thuhet se ekzistojnë arsye të bazuara ligjore për caktimin e dorëzanisë, pasi që dyshimet ndaj të pandehurit janë të arsyeshme dhe janë plotësuar kushtet e kërkuara me ligj.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale.
Gjykata ka bërë të ditur se në rast të arratisjes së të pandehurit, shuma e dorëzanisë do të konfiskohet dhe do të derdhet në fondin për kompensimin e viktimave.
Në këtë rast, do të aplikohet edhe masa e paraburgimit ndaj të pandehurit.
Në 2022-ën Ministria e Punëve të Brendshme, kishte njoftuar se pas shkatërrimit të një laboratori të drogës në Izvor, pranë kufirit me Serbinë, autoritetet kanë sekuestruar drogë në vlerë prej 6 milionë eurosh dhe pajisje të përdorura në laborator me vlerë prej 1.5 milionë euro.
Ministri Xhelal Sveçla në atë kohë kishte publikuar në llogarinë në Facebook edhe fotografi nga operacioni i shkatërrimit të bimëve narkotike./Telegrafi/