Mbrojtësit brazilian, Dani Alvesit do t’i mohohet një rikthim i ëndrrave te Barcelonë në moshën 38-vjeçare.
Alves kaloi tetë vjet te Blaugranët, duke fituar gjashtë tituj të La Ligës, tre Liga të Kampionëve dhe katër Copa Del Rey përpara se të largohej në vitin 2016.
Braziliani është një lojtar i lirë, pasi kohët e fundit i është ndërprerë kontrata me Sao Paulo për shkak të një mosmarrëveshjeje për të drejtat e papaguara të imazhit.
Dhe ai ka qenë shumë i zëshëm për dëshirën e tij për t’u kthyer te Barça.
“Nëse Barça mendon se ka nevojë për mua, gjithçka që duhet të bëjë është të telefonojë”, ka deklaruar Alves.
Presidenti i Barçës, Joan Laporta foli për Alvesin në prezantimin zyrtar për Xavit dhe UOL Esporte kishte thënë se të dyja palët do të zhvillonin bisedime këtë javë.
Sidoqoftë, mediumi Esport 3 raporton se Alves mund të mos jetë në gjendje të vulosë një kalim të dytë në Camp Nou sepse La Liga ka planifikuar të refuzojë marrëveshjen.
Marrëveshja e Barçës supozohet se do të ishte vetëm një euro në sezon, por drejtuesit e La Ligës pritet ta mohojnë atë propozim nga katalunasit me para të kufizuara.
Ndërkohë, gazeta Marca raporton se Xavi nuk është i interesuar të nënshkruajë me ish-shokun e tij të skuadrës dhe dëshiron të fokusohet te lojtarët e rinj.
Ai gjithashtu ka Sergino Dest dhe Sergi Roberto që konkurrojnë për pozitën e mbrojtësit të djathtë.
Alves bëri 391 paraqitje dhe fitoi 23 trofe gjatë kohës së tij te Barcelona pasi mbërriti nga Sevilla në vitin 2008 dhe vazhdoi të çimentonte vendin e tij si një nga mbrojtësit më të mirë të të gjitha kohërave.
Ai vazhdoi të shtonte trofe në koleksionin e tij duke bërë karrierë me Juventusin dhe Paris Saint-Germain, përpara se të fitonte titullin e 42-të me Sao Paulo në maj.
Në verë, ai bëri histori duke u bërë lojtari më i vjetër që fitoi një medalje kur ndihmoi Brazilin të fitonte medaljen e artë në Lojërat Olimpike 2020 në Tokio. /Telegrafi/