Nga: Timothy Leary (1920–1996), psikolog klinik në Universitetin e Harvardit, mik i rokerëve e më vonë ithtar i përdorimit të drogave psikodelike për zgjerimin e mendjes – për çfarë Allen Ginsberg e quajti “hero të ndërgjegjes amerikane”, ndërsa Tom Robbins “neuronaut të guximshëm” (Marrë nga: Flashbacks: An Autobiography)
Përktheu: Fadil Bajraj
Verë 1966.
Në një mëngjes derisa nën dush mendoja për sloganin i cili thelbësisht do ta përmbledhte taktikën mbi matjen e inteligjencës, më ranë ndër mend gjashtë fjalë. I lagur deri në palcë, me peshqir rreth belit, shkova në dhomën e punës dhe i shkrova këto fjalë që vijojnë: Kyçu, Akordohu, Shkyçu (Turn on, Tune in, Drop out).
KYÇU – nënkuptonte, futu në brendësinë tënde dhe aktivizoje pajisjen tënde nervore dhe gjenetike. Arrijeni sensibilitetin për shumë dhe llojlloj nivelesh të vetëdijes, po ashtu edhe për mekanizmat specifik të cilët i aktivizojnë ato. Drogat ishin një nga mënyrat për ta arritur këtë.
AKORDOHU – nënkuptonte, vendosni interaksionin harmonik me botën rreth vetes – jepjani formën e jashtme, materijalizojeni, qitni në shesh perspektivat tuaja të reja nga brendësia.
SHKYÇU – sugjeronte proces aktiv, selektiv dhe madhështor të ndarjes nga angazhimet e pavullnetshme dhe të pavetëdijshme. Shkyçu nënkuptonte vetëbesim, zbulim të veçantisë vetjake, përkushtim për lëvizshmëri, zgjedhje dhe ndryshim.
Gjatë paraqitjeve të mia publike theksoja se procesi, Kyçu – Akordohu – Shkyçu, duhet të përsëritet pandërprerë po qe se njeriu dëshiron të jetojë jetë progresive.
Fatkeqësisht, shpjegimet e mia mbi këtë renditje në zhvillimin personal shpeshherë janë keqinterpretuar si “drogohu dhe ndërpreji të gjitha aktivitetet konstruktive”. /Telegrafi/