Cristiano Ronaldo nuk ka mundur të mos e komentojë largimin e tij nga Manchester Unitedi, pas aq shumë raportimeve në lidhje me situatën e superyllit të futbollit.
Portugezi u bë futbollisti i vetëm që shënon në pesë Kampionate Botërore, pas penalltisë së realizuar në fitoren prej 3-2 ndaj Ganës.
Njëherësh, ai e ka ngritur në tetë numrin e golave në turnetë botërore, një më shumë se rivali i tij i përbetuar, Lionel Messi.
Kjo ishte fitorja e parë e 37-vjeçarit pas intervistës bombastike me Piers Morgan që pasoi me ndërprerjen e kontratës me Djajtë e Kuq.
Ronaldo është paraqitur në një konferencë për shtyp që ka zgjatur dy minuta e 12 sekonda dhe i është përgjigjur vetëm një pyetjeje.
Ai ka folur kryesisht për Kampionatin Botëror, fitoren ndaj Ganës dhe rekordin e tij të madh që e bën krenar dhe gjatë bisedës u lidh me situatën e tij me klubin anglez.
“Ishte një javë që e përfundoi këtë kapitull (me Unitedin). Ky kapitull është i mbyllur. Deshëm të fillonim me këmbë të mbarë. Fituam. Munda t’i ndihmoj ekipit tim. Gjithçka tjetër nuk ka rëndësi”, ka deklaruar Ronaldo. /Telegrafi/