Site icon Telegrafi

Ky është zinxhiri i përgjegjësive në sektorin e energjisë

Nga qymyri e deri tek poçet elektrik, ndiqeni si funksionon sistemi elektroenergjetik i Kosovës, cilat janë përgjegjësitë e secilës kompani, duke filluar nga Prodhuesi, Operatori, Distributori e deri te Furnizuesi.

 

Gjithçka fillon nga nxjerrja e qymyrit prej nëntokës kosovare. Ai bartet në termocentrale, ku digjet duke krijuar trysni të avullit, prej nga prodhohet 97 për qind të energjisë elektrike të cilën e shpenzojnë konsumatoret.

 

Me tërë këtë proces merret Korporata Energjetike e Kosovës- KEK.  Përveç KEK-ut ka edhe prodhues tjerë më të vegjël të energjisë siç është hidrocentrali i Ujmanit dhe hidrocentrale tjera më të vogla.

 

Roli i Operatorit

 

Nga termocentrali janë disa trafo të mëdha, të lidhura me linjat e Tensionit të Lartë të cilat bëjnë bartjen e energjisë elektrike në rrjet. Këto linja bartëse nisin nga 400 kV (kilovolt), 220 kV dhe 110 kV. Ky proces, së bashku me planifikimin, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të transmisionit është nën kompetencat e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSST).

 

Aktualisht, rrjeti i transmisionit të Kosovës lidhet me shtetet fqinje përmes linjave ndërkufitare si më poshtë: 1 linjë 400 kV  Kosovë – Serbi, 1 linjë 400 kV  Kosovë – Malin e Zi, 1 linjë 400 kV Kosovë – Maqedoninë, 1 linjë 400 kV Kosovë – Shqipëri (në ndërtim-planifikohet të jetë funksionale në vitin 2016), 1 linjë 220 kV Kosovë – Serbinë, 1 linjë 220 kV Kosovë – Shqipërinë,  2 linja 110 kVKosov – Serbinë.

 

Gjatësia e përgjithshme e linjave të transmetimit që menaxhohen nga KOSTT sh.a është 1196.59 km

 

Nga Operatori tek Distributori

 

Pas bartjes, ky proces shpërndahet tek konsumatorët përmes linjave të Tensionit të Mesëm dhe të Ulët. Për këtë është përgjegjëse kompania KEDS, e cila bën edhe mirëmbajtjen e rrjetit distribuiv dhe instalimin e njehsorëve. KEDS është përgjegjës për rrjetin nën 35 kV.

 

Secili proces ka koston e tij, të cilën e paguan konsumatori përmes çmimeve të energjisë elektrike. Për këtë vendosë Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), që është edhe në maje të këtij sistemi.

 

Furnizuesi

 

Furnizimi i rregullt me energji bazohet në Balancën e Energjisë, ku të gjithë operatorët e licencuar, në përputhje me përgjegjësitë ligjore bëjnë parashikimet e tyre për furnizim me energji.

 

“Në rastet kur ka ndërprerje të prodhimit vendor të energjisë, të paplanifikuar sipas Balancës së energjisë, atëherë është përgjegjësi e Furnizuesit publik (KESCO) që të importojë energji në mënyrë që të mbulohen nevojat e konsumit vendor”, ka thënë Murtezaj- Bajrami.

 

KESCO është kompani furnizuese e krijuar nga KEDS-i, pas vendimit të qeverisë për decentralizimin e tregut energjetik. Ndërkohe pritet të futen në treg edhe furnizues tjerë.

 

Në bazë të dakordimit të kompanive energjetike, Plani i Furnizimit bëhet një ditë më herët për furnizimin gjatë secilës ditë dhe secila kompani është e obliguar strikt t’i përmbahet.

 

Devijimi nga plani po ndodhë në praktikë, sic është rasti i rënies së paplanifikuar të blloqeve që janë përgjegjësi e KEK-ut. Kjo vështirëson automatikisht furnizimin, pasi për shembull, nëse KEK është zotuar t’i prodhojë dhe plasojë në rrjet 700 megavatë/orë dhe më rënien e bllokut ofron vetëm 450 megavatë/orë, atëherë kjo shkakton mungesë të përnjëhershme të 250 megavatë/orë.

 

Pra, që konsumatorët të kenë furnizim pa ndërprerje atëherë duhet të funksionojë secila hallkë e zinxhirit në mënyrë konstante dhe të bartë barrën që vet e merr përsipër.

 

Këtë e konfirmon edhe ZRRE

 

“Në rastet e paparashikuara dhe paparalajmëruara përgjegjësia e importit apo e mbulimit të kostove të importit bie mbi operatorin i cili nuk ka arritur të siguroj energjinë e paraparë në sistem sipas Balancës së Energjisë”, shpjegon zyrtarja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj – Bajrami.

 

Sipas saj edhe në rastet kur ndërprerjet ndodhin jashtë parashikimeve të Balancës, por mund të paralajmërohen me kohë nga Gjeneruesit, është përgjegjësi e Furnizuesit Publik që nga të Ardhurat e Lejuara Maksimale për import të sigurojë pjesën e nevojshme të furnizimit me energji.

 

Pra sipas këtyre shpjegimeve, në rast të rënies së paparalajmëruar të  ndonjë blloku të Kosovës A apo B, atëherë në këtë rast KOSTT, si operator i rrjetit do të duhej  të siguronte që furnizimi është i balancuar.

 

Në rastet kur ndërprerja është e planifikuar atëherë kjo përgjegjësi bie mbi furnizuesin i cili duhet të sigurojë që konsumatori të ketë furnizim të kënaqshëm.

 

Problemi deri tani ka ekzistuar për arsye se KOSTT nuk ka qenë anëtar i ENTSU dhe nuk ka mundur ta kryej këtë detyrë për të cilën obligohet por pas pranimit në këtë organizatë edhe kjo vështirësi pritet të tejkalohet. /INFOKUSI.COM/

 

Exit mobile version