Fundi dramatik – është e përbashkëta e gati të gjitha dueleve të këtij sezoni ndërmjet dy skuadrave më të mëdha në vend, Sigal Prishtinës dhe Pejës.
E tillë ishte edhe ndeshja e fundit, e luajtur të dielën në “Karagaç”, kur Peja fitoi me shënim në sekondën e fundit (77-76).
Kjo ishte ndeshja e parë e serisë finale të ‘play-offit’ të Superligës në basketboll dhe sipas vetë protagonistëve, një garanci më tepër se seria do të jetë e gjatë dhe interesante, shkruan Koha Ditore.
Alban Veseli kërceu në sekondën e fundit të ndeshjes, kapi topin dhe menjëherë e lëshoi atë nga dora për të shënuar pikët e fitores për Pejën.
Kjo ishte ndeshja e shtatë me finish dramatik nga nëntë përballjet direkte deri më tash këtë edicion, duke përfshirë këtu Superkupën, pjesën e rregullt të kampionatit, Ligën Ballkanike dhe finalen e Kupës së Kosovës.
Ndeshja e radhës finale do të luhet të enjten në Prishtinë (19:30). Skuadra që arrin e para tri fitore, shpallet kampion.