Site icon Telegrafi

Ky është propozimi amerikan për armëpushim në Rripin e Gazës

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar një propozim alternativ ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që thekson “mbështetje për një armëpushim të përkohshëm në Rripin e Gazës sa më shpejt të jetë e mundur”, sipas një teksti të parë nga Reuters.

Uashingtoni heziton të përdorë termin “armëpushim” në çdo veprim të OKB-së për luftën midis Izraelit dhe Hamasit, por rezoluta e propozuar i bën jehonë gjuhës që presidenti Joe Biden tha se e përdori javën e kaluar në një bisedë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, transmeton Telegrafi.

Projektrezoluta gjithashtu “pohon se në rrethanat aktuale, një ofensivë e madhe tokësore në Rafah do të rezultonte në dëme të mëtejshme për civilët dhe zhvendosjen e tyre të mëtejshme, duke përfshirë potencialisht në vendet fqinje”.

Lexo po ashtu Ushtria izraelite publikon pamjet e nënës Kfir Bibas dhe dy fëmijëve të saj, të rrëmbyer nga Hamasi gjatë 7 tetorit

Izraeli po planifikon të sulmojë Rafah në jug të Rripit të Gazës, ku më shumë se një milion palestinezë kanë kërkuar strehim, duke ngritur shqetësime nga komuniteti ndërkombëtar se mund të përkeqësojë shumë situatën humanitare në Rripin e Gazës.

Projektrezoluta thotë se “do të kishte implikime serioze për paqen dhe sigurinë rajonale, dhe për këtë arsye thekson se në asnjë rrethanë nuk duhet të ndodhë një ofensivë e tillë e madhe tokësore”.

Nuk dihet se kur dhe nëse projektrezoluta do të hidhet në votim në Këshillin e Sigurimit.

Shtetet e Bashkuara publikuan tekstin pasi Algjeria të shtunën i kërkoi këshillit të votonte të martën mbi projektrezolutën e saj, që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.

Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, menjëherë bëri të ditur se do të vendoste veton ndaj tekstit, duke besuar se ai mund të rrezikonte “negociatat e ndjeshme” për lirimin e pengjeve. /Telegrafi/

 

Exit mobile version