Alpinistja Mrika Nikqi ka njoftuar se më 27 shtator është sulmuar seksualisht në një rrugë në qendër të Pejës, kurse policia ka arrestuar të dyshuarin, ndaj të cilit është caktuar ndalimi policor prej 48 orësh.
Mësohet se personi që e sulmoi seksualisht alpinisten Nikqi, është 25 vjeçari, Flori Beqiraj.
Edhe Drejtoria Rajonale e Policisё në Pejё ka njoftuar se “me datën 27.09.2022, rreth orës 21:30, ёshtё paraqitur viktima femër kosovare, e cila informon se deri sa ka qenë duke ecur nё rrugën ‘Wesli Clark’ nё Pejё, njё person i panjohur pёr viktimën e ka kapur nga pas dhe e ka mbajtur pa dёshiren e saj, duke e prekur ne pjesё tё ndryshme tё trupit”.
“Viktima ka arritur qё tё largohet nga i dyshuari dhe e njëjta ka ardhur nё Stacionin Policor nё Pejё, e cila deklaron pёr ngjarjen si mё lartё. Policia menjёherё ka marrё tё gjitha masat e nevojshme pёr zbardhjen e kёtij rasti, dhe pas një pune intensive operativo-hetimore, nga hetuesit e Stacionit Policor nё Pejё, sot me datë 30.09.2022, ёshtё identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar F.B. i lindur me 1997”
“Pёr tё gjitha kёto veprime ёshtё njoftuar Prokurori i shtetit, ndёrsa i dyshuari pas intervistimit tё prokurorit tё shtetit ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё”, njofton Policia, transmeton Telegrafi.
Alpinistja Mrika Nikqi ka publikuar sot një video ku shihet duke u sulmuar nga një person në një rrugicë në qytetin e Pejës.
Viktima Mrika Nikqi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se “me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B, anëtarë i një familje të njohur në qytetin e Pejës”.
Babai i alpinistes Mrika Nikqi, Arianit Nikqi, është deklaruar pas videos që e kishte publikuar vajza e tij, në të cilën shihej duke u sulmuar seksualisht nga një person që tashmë është arrestuar.
“Kuptohet që jam ndier shumë i shqetësuar, por fatmirësisht ka qenë një bashkëpunim i mirë me organet përkatëse dhe me qytetarët”, ka thënë Nikqi, për Klan Kosova.
I pyetur për detaje të tjera lidhur me të dyshuarin dhe me procedimin e rastit, ai tha se nuk mund të prononcohet për momentin për këtë dhe se pret që çështja të zgjidhet përmes rrugëve ligjore.
“Për më tepër, nuk mund të prononcohem”, ka përfunduar Nikqi. /Telegrafi/