Instituti Hidrometeorologjik parashikon se vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e masave të ngrohta të ajrit të cilat do të jenë të qëndrueshme deri ditën e mërkurë.
Sipas IHMK-së, temperaturat e ajrit do të pësojnë ngritje të lehta në dy vlerat ekstreme, nga 9-11 gradë Celsius, kurse maksimalet e ditës pritet të lëvizin ndërmjet 17-19 gradë Celsius.
Po sipas IHMK-ës, do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi deri 9m/s.
“Nga pasditja e së mërkurës deri të premten do të ketë kushte tjera meteorologjike. Vranësirat të cilat pritet të vijnë nga pjesa verilindore e kontinentit do të jenë të dendura dhe të paqëndrueshme duke kushtëzuar mot të vranët dhe me shi, në viset e ulëta kurse në viset malore reshjet e shiut do të shoqërohen me fjolla të lehta të dëborës. Temperaturat do të bien dukshëm nën vlerat e mesatareve, nga 6-9 gradë Celsius, derisa në viset malore me lartësi mbidetare mbi 900m temperaturat minimale do të shënojnë edhe vlera zero. Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi deri 11m/s”, thuhet në njoftimin e IHMK-së. /Telegrafi/