Site icon Telegrafi

Ky është momenti kur britaniku 93-vjeçar “në fund të jetës” u befasua me një koncert në kopshtin e tij

Ky është momenti i bukur kur një burrë 93-vjeçar, “në fund të jetës së tij”, u befasua me një koncert në kopshtin e tij të përparmë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, familja e Dick Hockridge bëri një apel në rrjetet sociale duke kërkuar ndihmë për një performancë për pensionistin, i cili është një adhurues i madh i muzikës xhaz.

Ai u pa nga prezantuesja e BBC Radio Newcastle, Kelly Scott, e cila postoi një apel të sajin, dhe përgjigjet erdhën menjëherë.

Pianisti Mark Deeks dhe këngëtarja Jennifer Hastings mbërritën në kopshtin e Dick në Sunderland vetëm dy ditë më vonë.

Ata luajtën këngët me të cilat Dick dhe gruaja e tij Agnes kishin vallëzuar gjatë viteve, duke përfshirë të preferuarën e tyre të të gjitha kohërave Moon River.

Dick, një ish-punëtor i kantierit detar, u ul në dritare, duke kënduar së bashku – ndërsa anëtarët e emocionuar të familjes dhe fqinjët shikonin.

Në fund të koncertit, Dick mblodhi forcën për të thënë disa fjalë.

Ai tha: “Gëzuar Krishtlindjet dhe një Vit të Ri të gjithëve në mbarë botën. Paqja qoftë me ju. Faleminderit”. /Telegrafi/

Exit mobile version