Ndërsa shumica e njerëzve nuk kanë qejf të qëndrojnë në radhë të gjata, një 31-vjeçar nga Britania e Madhe ka bërë një profesion të pazakontë prej kësaj.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për Freddie Beckitt nga Londra i cili fiton para duke qëndruar në radhë për njerëzit e tjerë që nuk duan të bëjnë një gjë të tillë.
Beckitt, i cili është një shkrimtar i trillimeve historike, e identifikon veten si një “profesionist në radhë”.
Ai kërkon rreth 27 dollarë në orë për qëndrimin në radhë dhe thotë se fiton më shumë se 200 dollarë në ditë duke qëndruar në radhë për të tjerët.
Pasi ka punuar për tre vitet e fundit, Beckitt thotë se është bërë ekspert në këtë “zanat”.
Ai ka klientë që variojnë nga familjet me fëmijë te pensionistët dhe qëndron në radhë për pazar, duke marrë bileta për ekspozita, muze, filma dhe shfaqje.
Në shumë raste, qëndrimi në radhë dhe marrja e biletave përfundon brenda disa orësh, por Beckitt thotë, ai më pas pret edhe disa orë të tjera derisa klientët e tij të mbërrijnë për t’u dorëzuar biletat e tyre.
Beckitt shpjegon se si familja dhe miqtë e tij fillimisht u argëtuan nga zgjedhja e tij e çuditshme e profesionit.
Përveç fitimit të parave nga qëndrimi në radhë, Beckitt gjithashtu reklamon veten për disa punë të çuditshme të tjera. /Telegrafi/