Shefi i njohur spanjoll i kuzhinës, Dani Garcia, ka treguar se Victoria Beckham kishte kërkesa të çuditshme në dasmën e Sergio Ramos me Pilar Rubio.
Në një intervistë për televizionin spanjoll, ai ka thënë se dizajnerja e kishte ndryshuar të gjithë menynë.
“Ishte shumë e çuditshme. Ajo donte gjithçka ndryshe dhe që ne t’i shërbenim ekskluzivisht perime dhe kishte disa gjëra të tjera të çuditshme që nuk i kisha parë kurrë në jetën time”.
“Ajo kishte me vete ujë kokosi, një tas me nenexhik dhe një xhel hidroalkoolik që tash është shumë i popullarizuar, por asokohe nuk ishte, sepse ende nuk kishte filluar pandemia e COVID-it”, ka thënë Garcia.
Tutje, kuzhinieri shtoi se ishte punë shumë e ndërlikuar që t’i shërbente asaj atë natë.
Më herët, bashkëshorti i saj, David Beckham, ka folur në lidhje me shprehitë e të ngrënit të Victorias dhe ka treguar se ajo ka ngrënë të njëjtin vakt çdo ditë për 25 vitet e fundit.
Legjenda e futbollit shpjegoi se qëkur u takua me gruan e tij, ish-këngëtarja ha vetëm peshk të pjekur në skarë, perime të ziera në avull dhe shumë rrallë devijon nga ky zakon. /Telegrafi/