Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, në një përgjigje për Gazetën Express nuk ka komentuar rreth përplasjeve të PAN dhe partive tjera për seancën konstituive.
Por, kjo Zyrë u ka bërë thirrje të gjitha partive që të bëjnë veprime të përgjegjshme në mënyrë që Kuvendi të konstituohet sa më parë.
Kuvendi i Kosovës vazhdon të mbetet i bllokuar për shkak se partitë politike ende nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje rreth vazhdimit të seancës konstituive.
Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, kanë thënë se Kuvendi duhet të konstituohet sa më shpejtë të jetë e mundur dhe se partitë duhet të veprojnë me përgjegjësi në mënyrë që të përmbushin detyrimet Kushtetuese dhe ligjore.
“Zyra e BE-së në Kosovë bën thirrje që Kuvendi të konstituohet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që partitë parlamentare të veprojnë në mënyrë të përgjegjëgjshme dhe t’i përmbushin detyrimet që rrjedhin nga Kushtetuta dhe ligjet”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE’së për.
Megjithkëtë, të mërkurën u mbajt takimi konsultativ i partive politike, ku përveç Lëvizjes Vetëvendosje, kanë qenë të pranishëm të gjithë përfaqësuesit e partive politike.
Ky takim nuk solli ndonjë rezultat për ta zgjidhur bllokadën që është krijuar rreth konstituimit të institucioneve të reja, megjithatë, përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë kërkuar që seanca e së enjtes të shtyhet për javën e ardhshme dhe që paraprakisht të mbahet edhe një takim tjetër konsultativ. PAN, ndërkaq, ka thënë se nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të thirru nga deputeti më i vjetër i Kuvendit Adem Mikullovci, i cili po kryeson me seancën për shkak se është deputeti më i vjetër i legjislaturës së re.