Sesioni i ri parlamentar e gjen grupin parlamentar të Partisë Demokratike me kryetar të ri.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla njoftoi sot në seancën plenare vendimin e fundit të depozituar nga PD-së se kryetar i grupit parlamentar do të jetë Lulzim Basha.
Ky i fundit u rikthye në krye të PD-së në zgjedhjet e fundkorrikut të këtij viti.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh përpara seancës plenare se postin e kryetarit të grupit parlamentar do e delegojë të një nga nënkryetarët e partisë.
Në një prononcim për mediet para Kuvendit, Basha u shpreh se beteja e PD është për qytetarët.
“Duhet të punojmë dhe t’u shërbejmë njerëzve. Si kreu i PD dhe i ngarkuar edhe me detyrën e kreut të grupit, kam ndërmend ta delegoj këtë detyrë te një nga nënkryetarët e grupit, siç ka qenë përherë. Thirrja ime për çdo deputet është që tani është momenti të shohim përtej interesave personalë, përtej frikërave që mund të ketë shkaktuar konflikt, se në fund të fundit janë shprehur mbi 4 mije delegatë të PD dhe ata janë një fuqi reale”, tha Basha.