Dje në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup qëndroi një delegacion nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, i prirë nga deputeti dhe botuesi i njohur, Fatmir Toçi, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Me këtë rast, siç njoftuan përmes një kumtese për media nga ITSHKSH, mysafirët nga Tirana i dorëzuan bibliotekës së Institutit një sërë botimesh të Kuvendit të Shqipërisë.
“Me rëndësi të veçantë janë botimet që kanë të bëjnë me stenogramet nga mbledhjet e Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 1920-21 e deri në kohën më të re”, thuhet në kumtesën e ITSHKSH.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, theksoi se bashkëpunimi i filluar me institucionet shkencore dhe kulturore të Shqipërisë është shumë i frytshëm, dhe në këtë drejtim falënderoi deputetin dhe botuesin Fatmir Toçi, të cilin e vlerësoi si një urë lidhëse e këtij bashkëpunimi mes Tiranës dhe Shkupit.
“Materiali i pranuar sot nga Shqipëria, do të shërbejë për nevojat e punëtorëve shkencorë të Institutit, magjistrantët dhe studiuesit e interesuar për temat e parlamentarizmit shqiptar”, shtohet në kumtesë.