Telegrafi

Kuvendi pritet të miratojë 11 milionëshin për pagesën e rrymës në veri, kundërshtohet nga opozita

Foto: Arkiv

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti me 6 vota për dhe 3 kundër, javën e kaluar kishte miratuar propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësin për pagesën e rrymës për serbët në katër komunat veriore.

Lidhur me këtë, në seancën e sotme që pritet të fillojë në ora 10:00 do të shqyrtohen rekomandimet e komisionit për sigurimin e këtyre mjeteve, shkruan Telegrafi.

Propozimi i deputetes Mimoza Kusari-Lila e obligon Qeverinë që të zgjidhë këtë çështje për shtrimin e autoritetit në fushën e energjisë brenda 6 muajve në veri të vendit.

Pas këtij vendimi, i menjëhershëm kishte qenë reagimi i opozitës.

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë Kurti se në kundërshtim me zotimet e saj ka miratuar këtë vendim, duke shtuar se e njëjta Qeveri kishte anuluar shtesat prej 30 eurove për pensionistët.

“Këto para të ndara nga buxheti i Kosovës fatkeqësisht po e mirëmbajnë krimin në veri të vendit dhe strukturat paralele atje. Si dhe financimin e aktiviteteve të paligjshme dhe kriminale për prodhimin e kriptovalutave ku kohëve të fundit ka një rritje të madhe. Pra, kemi një qeveri dhe parti si Lëvizja Vetëvendosje që i nënshtrohen pa kushte ndaj Serbisë e strukturave kriminale atje edhe pse për 20 vjet e kanë gojën plot kundër Serbisë. Ky pushtet para 1 jave ndali shtesat prej 30 euro për pensionistët. Ndërsa sot mori vendim për t’i ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës në veri të vendit”, kishte thënë në një konferencë për media, anëtari i kryesisë së PDK-së, njëherësh kryetar i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala.

Lexo po ashtu PDK: Pushteti i VV-së ndau 11 milionë euro për rrymën e serbëve në veri, kurse hoqi 30 eurot e pensionistëve

Për Lidhjen Demokratike e Kosovës, Qeveria Kurti se po ndërmerr veprime të cilat i kishte kundërshtuar si opozitë.

“Qeveria Kurti po ndërmerr të gjitha veprimet që i kishte kundërshtuar në të kaluarën. Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte parti opozitare, për disa vite rresht e me plot ngulm kishte kundërshtuar një veprim të tillë. Madje, në kohën tonë të përbashkët opozitare, kishim bashkëorganizuar interpelancë ndaj qeverisë së PAN-it, e cila kishte nisur këtë praktikë”, thuhet në reagimin e Departamentit të Ekonomisë dhe Biznesit në LDK, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu LDK reagon ndaj propozimit për pagesën e rrymës për serbët: Qeveria Kurti po ndërmerr veprime që i kundërshtonte si opozitë

Ndërsa në reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thuhet se 11 milionë euro është shuma të cilën duhet ta paguajnë shumica e qytetarëve të Kosovës, për një pakicë e cila vet dhe në bashkëpunim me Serbinë, sfidon institucionet tona.

“Përpos dëmit financiar në buxhetin e vendit, i cili ndërtohet me djersen dhe kontributin e shumicës prej nesh, nga ky veprim, kemi një zinxhir të dëmeve të tjera. Kuvendi pajtohet që Republika e Kosovës, nuk ka potencial të jetë vend jo diskriminues e shtet i së drejtës dhe është shtet që inkurajon shkelësit e ligjit, ta keqpërdorin rrymën, duke e shfrytëzuar jo racionalisht dhe madje duke e shfrytëzuar me qëllime të dëmtimit të kapacitetit energjetik të vendit”, thuhej në reagimin e AAK-së.

Lexo po ashtu AAK: Me 11 milionë euro për rrymën, Qeveria po shantazhohet nga serbët e veriut

Rekomandimi i Komisionit për Ekonomi që i hap rrugë ndarjes së 11 milionë eurove përmes KOSTT-it për pagesën e rrymës së shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore të Mitrovicës, bëhet i plotfuqishëm vetëm pas shqyrtimit dhe miratimit të tij në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/