Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2016 është ballafaquar me mungesa të shpeshta të kuorumit, si në seanca ashtu edhe në mbledhjet e komisioneve. Miratimi i ligjeve në sesionin vjeshtor pothuajse në asnjërën seancë nuk ka ndodhur në ditën që është planifikuar, por është dashur të shtyhen për një ditë tjetër.
KDI thekson se shumica parlamentare dhe koalicioni qeverisës janë treguar të paafta politikisht për të trajtuar disa prej temave më të rëndësishme, siç është Ratifikimi marrëveshjes për përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Përkundër që ndarja e pushteteve është e garantuar me Kushtetutë, nuk kanë munguar rastet kur pushteti legjislativ ka shfaqur tendenca të hapura për të ndërhyrë në punën e atij gjyqësor.
“Rasti më i rëndë ka qenë ai i diskutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, që ndër të tjera nuk ka prodhuar as ndonjë debat përmbajtjesor”, thuhet në njoftim.
Gjatë viti, por edhe në përgjithësi Legjislatura e V-të, ka pasur tendenca që të përfshihet në diskutime të politikave ditore, të cilat kanë qenë të gjata dhe nuk kanë prodhuar ndryshim.
Në këto debate, shpeshherë situata ka eskaluara në përplasje ndërmjet deputetëve të partive në pushtat me ata në opozitë, duke përdorë gjuhë të ashpër dhe ofenduese, të cilat janë shoqëruar me fyerje dhe akuza të rënda.
Kryesuesit e këtyre seanca kanë qenë të dobët, duke lejuar debate të tilla dhe nuk kanë respektuar procedurat e parapara në Rregulloren e Punës së Kuvendit.
“Ndonëse bojkoti konsiderohet si një mjet demokratik për të shprehur mospajtimin apo protestën ndaj një çështje apo veprimi të caktuar, kjo gjë është shndërruar në dukuri në Kuvendin e Kosovës. Në sesionin pranveror opozita ka bojkotuar Kuvendin, ndërsa në atë vjeshtor Lista Serbe. Të dy grupet i janë kthyer punës në Kuvend, ndonëse pa u përmbushur qëllime te tyre para bojkotit dhe për më të tepër janë kthyer të ndarë”, thuhet në komunikatën e KDI-së.
Po ashtu thuhet se praktika e shqyrtimit dhe miratimit të buxhetit të shtetit me procedura të përshpejtuara dhe pa konsultime me publikun ka vazhduar edhe në këtë vit. Buxheti me procedura të përshpejtuara është miratuar në vitin 2011, 2013, 2015, 2016 dhe tani në 2017.
Mbikëqyrja parlamentare
Pyetjet parlamentare – Ngjashëm sikur vitin e kaluar edhe këtë vit, Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur performancë të mirë në rolin e tij mbikëqyrës. Kjo pasi që gjatë gjithë vitit 2016 janë parashtruar vetëm 174 pyetje parlamentare. Nga pyetjet e parashtruar, përgjigje kanë marrë vetëm 72 prej tyre apo 41%.
Grupi parlamentar më aktiv më pyetje është ai i LVV-së me 90 pyetje, i pasuar nga PDK me 49, AAK me 12, NISMA me 11 dhe LDK me 8. Sektori në të cilin janë parashtruar më së shumti pyetje parlamentare është ai i Shëndetësisë (24).
Interpelancat – Dy interpelanca janë mbajtur gjatë këtij viti, të cilat janë iniciuar nga grupi parlamentar Lëvizja Vetëvendosje të drejtuar Kryeministrit Isa Mustafa. Interpelanca e parë ka qenë në lidhje me Kodin Telefonik Shtetëror të Republikës së Kosovës, ndërsa interpelanca e dytë me situatën aktuale politike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës.
Raportimi i ministrave në komisione – gjatë vitit 2016 komisionet parlamentare kanë ftuar për raportim 54 herë ministrat e kabinetit qeveritar. Në sesionin vjeshtor komisionet kanë qenë shumë më aktive në këtë aspekt, periudhë në të cilën janë bërë 72% e raportimit të ministrave. Kjo rritje e numrit të raportimeve të ministrave në komisione ka ardhur kryesisht si rezultat i mos procedimit të projektligjeve që komisionet kishin paraparë të shqyrtonin gjatë këtij sesioni, e të cilat Qeveria nuk i ka proceduar për shqyrtim në Kuvend.
Seancat dhe mbledhjet e komisioneve
“Seanca parlamentare – Kuvendi gjatë këtij viti ka mbajtur 24 seanca plenare, 7 seanca të jashtëzakonshme dhe 4 seanca solemne. Nëse e krahasojmë me numrin e seancave të mbajtura në vitin 2015, shohim se në vitin 2016 janë mbajtur 9 seanca më pak.
Mbledhjet e komisioneve – Gjatë vitit 2016 nga 15 komisione dhe një nën–komision sa ka Kuvendi, janë mbajtur gjithsej 362 mbledhje, që është numër më i vogël në krahasim me numrin e mbledhjeve të mbajtura në vitin 2015 për 57 mbledhje.
Dëgjimet publike – Sa i përket dëgjimeve publike këtë vit janë mbajtur gjithsej 21, ndërsa në vitin 2015 komisionet kanë mbajtur gjithsej 38 dëgjime publike”.
Miratimi i ligjeve
“Në vitin 2016, Kuvendi ka zhvilluar punimet pa miratuar një Plan të Punës ashtu siç parashihet me Rregullore. Megjithëkëtë, nga planet e punës së komisioneve, për vitin 2016 janë paraparë të miratohen 141 projektligjeve.
Gjatë vitit Kuvendi ka arritur të miratoi 52 ligje apo 36% të planifikimit. Dinamikë dukshëm më e lartë në miratimin e ligjeve është vërejtur në sesionin pranveror ku janë miratuar 35 projektligje krahasuar me sesionin vjeshtor ku janë miratuar 17 ligje. Iniciuesi kryesor i projektligjeve mbetet Qeveria me 49 projektligje, 2 Kuvendi dhe 1 iniciativë qytetare. Tetë ligje ishin për plotësim/ndryshim.
Ndërkohë në komisionet parlamentare në procedurë të shqyrtimit kanë mbetur edhe 19 projektligje (13%) ndërsa 70 projektligje (49%) nuk janë përgatitur ende. Edhe këtë vit është përsëritur dukuria e miratimit të ligjeve me procedurë të përshpejtuar, gjë që ka ndodhur në 9 raste. Nëse e krahasojmë numrin e miratimit të ligjeve me vitin 2015, shohim se këtë vite janë miratuar 5 ligje më shumë”, thuhet në njoftim.
Dialogu
“Tema e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është diskutuar në 6 seanca parlamentare, përderisa deputetët kanë parashtruar vetëm 10 pyetje parlamentare me ketë temë. Nga seancat parlamentare kanë dalë edhe dy Rezoluta. Nga numri i përgjithshëm i mbledhjeve të komisioneve të mbajtura këtë vit, në 7 prej tyre janë diskutuar edhe çështjet e dialogut dhe marrëveshjet e arritura mes këtyre dy shteteve”, bëhet e ditur në njoftimin e KDI-së. /Telegrafi/