Site icon Telegrafi

Kuvendi në seancë të jashtëzakonshme, pas presionit për të lejuar referendumin e Serbisë në Kosovë

Pasditen e së premtes, ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë patën një takim me krerët e shtetit të Kosovës në lidhje me kërkesën e Serbisë që të mbajë referendumin për ndryshim të kushtetutës në territorin e Kosovës.

Njëzëri krerët e shtetit i kanë thënë jo kësaj kërkese, duke dhënë dy mundësi tjera që qytetarët serbë të Kosovës të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar në këtë referendum.

Pas takimit që u mbajt në Presidencë ku ambasadorët dhe përfaqësuesi i BE-së u pritën nga presidentja, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti, ky i fundit bëri të ditur se do të thërras seancë të jashtëzakonshme.

Ndërkaq, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka njoftuar të premten në mbrëmje se në pikën kufitare Merdare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është ndalur një zyrtar i Komisionit Republikan Zgjedhor, i cili ka tentuar të importojë materiale zgjedhor në Kosovë për referendumin e ardhshëm në Serbi, i cili do të mbahet më 16 janar.

Kundër organizmit të referendumit serb në Kosovë janë deklaruar edhe krerët e partive opozitare në vend.

Krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, gjatë takimit  me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së, paraqitën qëndrimin e tyre të koordinuar dhe të përbashkët lidhur me mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, transmeton Telegrafi.

Në këtë takim, sipas deklaratës së përbashkët të krerëve të shtetit, “përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”.

“Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës. Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e shtetit tonë jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja”, thuhet në deklaratë.

Ndërsa, shtetet e QUINT-it pas takimit kërkuan nga Qeveria e Kosovës që të organizojë referendumin e Serbisë në territorin e Kosovës siç ishte praktikuar më herët në procese zgjedhore.

Lexo po ashtu Osmani, Konjufca e Kurti me deklaratë të përbashkët për referendumin e Serbisë në Kosovë

Përmes një komunikate të përbashkët, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se ju vjen keq që Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të mbledh fletëvotimet e serbëve të Kosovës, sipas praktikave të kaluara.

“Vërejmë me keqardhje se Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në komunikatë.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit po përkrahë deklaratën e përbashkët të vendeve të QUINT-it të lëshuar sot në lidhje me organizimin e referendumin për ndryshimet kushtetuese të Serbisë në Kosovë.

Ata kanë shpërndarë në ueb-faqen e tyre këtë deklaratë, ku shtetet e QUINT-it kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të lejoj OSBE-në të organizojë referendumin e Serbisë në territorin e Kosovës siç ishte praktikuar më herët në procese zgjedhore.

AAK, PDK dhe LDK kanë deklaruar se janë kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë për Telegrafin se mbajtja e këtij referendumi do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Sipas Krasniqit, “Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme.

“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë është antikushtetuese dhe kjo do të përbënte shkelje flagrante të sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ka dallim esencial ndërmjet zgjedhjeve dhe referendumit, andaj është i papranueshëm lejimi i votimit në Kosovë për referendumin e një shteti fqinj. Qeveria duhet të bashkërendojë veprimet me partnerët ndërkombëtarë për të ofruar zgjidhje të përshtatshme, në pajtim me obligimet tona si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Krasniqi.

Lexo po ashtu Presioni ndërkombëtar për referendumin serb në Kosovë - refuzimi kategorik i krerëve shtetëror dhe udhëheqësve politikë në vend

“Pretendimi i Serbisë që të organizojë referendum kushtetues në territorin e Kosovës është sulm flagrant mbi sovranitetin dhe integritetin kushtetues të Kosovës. Prandaj inkurajojmë dhe jemi në mbështetje të të gjithë atyre që e kundërshtojnë me forcë organizimin e këtij referendumi”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar se LDK është kundër çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, shkruan ai.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq u ka thënë të premten gazetarëve në Beograd se ende shpreson dhe i beson Bashkimit Evropian se do të mundësojë mbajtjen e referendumit për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë në fushën e drejtësisë në Kosovë të dielën.

“Nuk mund të them me siguri nëse BE-ja do t’i përmbushë detyrimet e saj, sepse kjo nuk ka të bëjë më as me ne si njerëz që do të votojmë në atë referendum, por kjo është një çështje që ka të bëjë me anëtarësimin në BE”, u ka thënë Rakiq gazetarëve pas takimit të përfaqësuesve serbë nga Kosova me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, Kuvendi i Kosovës nesër (e shtunë) në orën 14:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme.

Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës.

Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar.

Pak orë pas thirrjes së seancës së jashtëzakonshme, Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancë.

Nënkryetari i PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media, tha se kjo seancë është e panevojshme dhe se mazhoranca po tenton që t’i shmanget përgjegjësisë.

“Qëndrimi ynë tashmë është i njohur, ku mbajtja e referendumit përbën shkelje të sovranitetit dhe integritetin e vendit tonë. Do të dëshironim që qeveria të kishte pasur një koordinim më të mirë me vendet e QUINT-it dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. PDK e sheh krejt të panevojshme mbajtjen e kësaj seance dhe nuk do të marrë pjesë. E konsiderojmë të panevojshme dhe përpjekje për shmangie të përgjegjësisë”, ka deklaruar Tahiri në një konferencë për media. /Telegrafi/

Exit mobile version