Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 83 vota “për” kanë miratuar Projektligjin për ratifikimin e këmbimit të Notave Diplomatike në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti sipas Aktit për ndihmë të jashtme të vitit 1961 dhe Aktit për kontroll të shitjeve të armëve mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ani pse pati debat nëse ky projektligj duhej të miratohej në Kuvend, deputetët e të gjitha partive politike i kanë dhënë mbështetje.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, teksa ftoi deputetët që ta përkrahin këtë projektligj tha se niveli i bashkëpunimit mes ShBA-ve, Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së është në nivel të shkëlqyeshëm.
“Projektligji ka për qëllim të rregullojë aspektin ligjor rreth të drejtave dhe detyrimeve të përdorimit të pajisjeve që kanë palët të autorizuara sipas këtij legjislacioni. SHBA-të kanë marrëveshje të njëjtë me partnerët dhe shtetet e tjera, me këtë është me rëndësi që ky projektligj të votohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e njëjta të hyjë në fuqi në mënyrë që bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-së të vazhdojë dhe të thellohet edhe më shumë. Niveli i bashkëpunimit përmes SHBA, Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së është në nivel të shkëlqyeshëm”, tha ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, u shpreh se si parti do ta përkrahin ratifikimin e Notave Diplomatike, por që shprehu dyshime se pse kjo është sjellë në Kuvend për miratim.
Tahiri tha se kjo nuk është një marrëveshje ndërkombëtare, për çka pyeti qeverinë se pse është sjellë në Kuvend për miratim. Ai pyeti se a nuk po i beson ShBA qeverisë apo qeveria ka ndonjë hezitim për këtë çështje.
“Ratifikimi i këtyre notave diplomatike, a po më tregoni çfarë rëndësie ka kur e ratifikon Kuvendi i Kosovës e nuk e ratifikon Kongresi amerikan. Prandaj kjo prapë po them duhet me qenë në nivel të ministrive, SHBA-ve prej nga ka ardhur letra dhe me u kthye nga Ministria e Punëve të Jashtme. Pra, është shumë e paqartë për mua dhe për grupin parlamentar se pse është dashur të vijë dhe të ratifikohet në Kuvend. Nuk kam pikë dyshimi që duhet me qenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe me vëmendje të plotë në raport me atë asistencë që e ofrojnë ShBA-të për Kosovën, në këtë rast më konkretisht për ushtrinë, mirëpo në anën tjetër pyetja ime është pse a nuk po ju beson, a nuk po ju besojnë SHBA-të që me u kthye prej qeverisë kjo notë diplomatike apo ju po hezitoni ta bëni një gjë të tillë”, tha ai.
Pro miratimit të këtij projektligji u shpreh deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, i cili tha se i njëjti do të avancojë diplomacinë ushtarake.
“Ky akt ndihmon në promovimin e politikës së jashtme të sigurisë dhe mirëqenies së përgjithshme të SHBA-së duke i ndihmuar popujt e botës në përpjekjet e tyre drejtë zhvillimit ekonomik, sigurisë së tyre të brendshme dhe të jashtme si dhe për qëllime të tjera bashkëpunimi”, tha ai.
Sqarim më të madh nga ekzekutivi për këtë projektligj kërkoi deputeti i LDK-së, Anton Quni.
“Ne jemi të vetmit që kësaj note verbale i përgjigjemi me projektligj. Nuk po flasim për dy procese analoge dhe nuk po flasim për komunikim të dy institucioneve homologe. Po krijojmë një standard të ri dhe është shumë e kuptueshme që deputetët kërkojnë sqarime”, tha ai.
Miratimin e projektligji e përkrahu edhe deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Nuk është ndonjë tejkalim apo dalje nga ndonjë e drejtë e jona, pasi parlamenti është garantues kryesor dhe në rastin kur qeveritë janë në dorëheqje dhe ministrat janë në pozita të tranzicionit. Fakti që ne aprovojmë një ligj është një dëshmi që mënyrë serioze do të respektojmë këto marrëdhënie si në nota verbale, ashtu edhe akte të tjera. Pra Aleanca e përkrah”, tha ai.
Ndaj deputetëve ka reaguar ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili sërish kërkoi që ky projektligj të ratifikohet.
“Kjo është marrëveshje prej vitit 1961, ka shumë shtete partnere ShBA, nuk është e jashtëzakonshme Kosova e as partnerët e tjerë. Këtë tashmë edhe përmes edhe marrëveshjes po edhe besimit të plotë e kemi ta qesim këtë marrëveshje përpara sa i përket ministrisë dhe FSK-së. Ushtria e Kosovës është e popullit, kështu që ju lus ta mbështesni marrëveshjen e të ecim përpara”, tha ai.
Sërish ka reaguar Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se paaftësinë e qeverisë e sqaron shumë mirë kjo situatë, derisa tha se një jurist me një dije nën mesatare nuk e kish sjellë në Kuvend për ratifikim këtë projektligj.
“Këtë farë paaftësie, këtë farë amullie që e ka krijuar qeveria e Republikës së Kosovës shumë mirë po e sqaron kjo situatë. Një jurist me një dije nën mesatare nuk e kish sjellë në Kuvend me ratifiku këtë projektligj, sepse fakti që nuk ratifikohet mes dy shteteve kjo flet vet”, tha ai.
Edhe Shefi i Grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, e ka quajtur paaftësi të qeverisë që një projektligj i tillë shkon për ratifikim në Kuvend.
Në debat është përfshirë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili u shpreh se si kryetari i Kuvendit është konsultuar me palën me të cilën po e lidh Kosova këtë marrëveshje, e që tha se nuk ka kurrfarë problemi që ky projektligj miratohet në Kuvend.
“Sa i takon përgjegjësisë të kryetarit të Kuvendit ai është konsultuar edhe dakorduar me vet palën me të cilën ne po e lidhim këtë marrëveshje. Pala thotë që krejt është në rregull edhe kjo mënyrë nëse duam të përcaktohemi për këtë. Kështu që, kurrgjë nuk ka problem për Republikën e Kosovës nëse ne përcaktohemi për këtë mënyrë, prandaj kjo thjeshtë i përket vullnetit të deputetëve që të përcaktohen me votë”, tha ai. /Kp/