Kuvendi i Kosovës ka miratuar Deklaratën në mbështetje të Rezolutës së Parlamentit Evropian mbi zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi, përfshirë situatën në komunat veriore të Kosovës.
Nga 88 deputetë të pranishëm, 86 votuan pro miratimit të kësaj deklarate.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, prezantoi para deputetëve pikat e kësaj deklarate:
1. Kuvendi vlerëson lartë të gjitha qëndrimet politike të PE në lidhje me cenimin e integritetit territorial nga Serbia.
2. Mbështet fuqishëm thirrjet për ta mbajtur përgjegjëse ndërkombëtarisht Serbinë si subjekt i hetimit ndërkombëtar.
3. I bashkëngjitet kërkesës së PE-së që sa më parë të ekstradohen në Kosovë planifikuesit e sulmit dhe cilido subjekt që e ka asistuar këtë sulm.
4. Vlerëson lartë qëndrimet përmes të cilave nënvizohet rëndësia e heqjes së masave ndaj Kosovës dhe vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë.
5. Fton Parlamentin që të luajë rol ende me fuqishëm në lidhje me qëndrimin që mbajnë 5 vendet mosnjohëse që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
6. Vlerëson lartë kritikën që pe i jep qasjes destruktive të Serbisë.
7. Fton PE të marrin në shqyrtim dhe të vlerësojnë aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat.
Para miratimit të kësaj deklarate, shefat e grupeve parlamentare u konsultuan për të harmonizuar përmbajtjen e kësaj deklarate. /Telegrafi/