Kryesia e Kuvendit ka vendosur që sot të mbahet seancë e jashtëzakonshme ku do të diskutohet për ndotjen e ajrit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në mbledhjen e Kryesisë të mbajtur një ditë më parë tha se seanca do të mbahet në ora 15:00 dhe në këtë seancë do të debatojnë dhe do të japin rekomandime për ta kaluar këtë situatë.
“Jam njoftuar për masat që janë marrë nga qeveria e Kosovës dhe komuna e Prishtinës, specifikisht. E vlerësojmë. Kjo është një arsye më shumë që të mendojmë edhe si Kuvend i Kosovës dhe të jemi në përkrahje në këtë periudhë”, tha Veseli, duke thënë se duhet një zgjidhje afatgjate.
Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje tha se e përkrahin seancën ku do të diskutohet për ndotjen e ajrit.
Ajo tha se VV kërkon që të ketë Rezolutë, e jo rekomandime lidhur me masat për përmirësimin e gjendjes nga ndotja e ajrit.
Ndryshe, ndotja e ajrit në vendin tonë, vazhdon të jetë shqetësuese. Ndërkohë që alarmin rreth ndotjes së ambientit e ka dhënë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, duke u sugjeruar kosovarëve që të dalin në qytet me maska. /Telegrafi/