Kuvendi sot duhet ta vazhdojë seancën e 110-të për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Qeverisë, përkatësisht dy ministrat dhe tre zëvendësministrat e rinj. Gjatë ditë së djeshme seanca u ndërpre për shkak të debatit të gjatë.
Fokusi i debatit ishte propozimi për ministër të ri të Financave të jetë 31 vjeçarja Nina Angelovska. Deputetët kritikuan propozimin e kryeministrit që Angelovska të jetë ministre e Financave për shkak se, siç theksuan, ky funksion është funksioni më serioz pas atij të kryeministrit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas tyre në arkës shtetërore i propozohet një person pa përvojë që nuk ka njohuri nga financat publike ndërsa kryeministri Zaev e mbrojti propozimin e Qeverisë duke u përgjigjur se Angelovska është menaxhere e suksesshme dhe se ka treguar se metodat progresive mund të vendosen edhe tek ne.
“Me mesazhe të tilla dhe mosdhënie të mundësisë, nuk i motivoni të rinjtë të mbesin dhe të krijojnë këtu”, ju tha Zaev opozitës maqedonase.
Angelovska vjen në vend të Dragan Tevdovskin i cili nuk është ministër i Financave pas rikonstruimit të Qeverisë.
Për ministër të ri në Qeveri është propozuar edhe Hisen Xhemaili, i cili duhet të udhëheqë me resorin për përmirësimin e klimës investuese.
Për zëvendësministra ka tre propozime, Kiril Kolemishevski në Ekonomi, Elizabeta Naumovska në Arsim dhe Shkencë dhe Nexhad Mehmedoviq në Ministrinë e re për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive./Telegrafi/