Telegrafi

Kuvendi i Kosovës të premten mban dy seanca

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ditën e premte do të mbahen dy seanca.

Osmani para mediave tregoi se çfarë do të ketë në rend të ditës, transmeton Telegrafi.

“Do të kemi seancë këtë të premte, në mëngjes do t’i trajtojmë pikat e papërfunduara të rendit të ditës, janë diku tri katër pika. Pasdite kemi seancë të re, do të kemi shqyrtimin e një propozimi amandamenti kushtetues që është përfshirja e konventës së Stambollit, që ka të bëjë me barazinë gjinore në Kushtetutën tonë, është hap i madh drejt një baze të fuqishme kushtetuese drejt barazisë gjinore, shpresoj shumë në përkrahjen e deputetëve”, tha ajo.

Po ashtu, Osmani pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit bëri të ditur se kanë marrë vendim ta ftojnë kryeministrin Avdullah Hoti në një seancë ku do të flasë për 100 ditshin e Qeverisë. Osmani deklaroi se këtë kërkesë e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje.

“Gjatë javës pasuese do ta ftojmë kryeministrin në një seancë të veçantë për 100 ditëshin”, pohoi ajo./Telegrafi/