Me një nëntor autoritetet e Kosovës filluan zbatimin shkallë-shkallë të vendimit për targat e makinave që duhet të përmbyllet në muajin prill të vitit të ardhshëm, por kjo po kundërshtohet nga Beogradi zyrtar dhe përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës.
Vendimi i qeverisë së Kosovës u mor me gjithë thirrjet e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për një shtyrje dhjetë muajshe.
Me 3 nëntor autoritetet pezulluan nga puna komandantin e policisë në veriun e Kosovës Nenad Gjuriç për shkak të refuzimi të tij për të zbatuar vendimin e qeverisë për konvertimin e targave të makinave.
Ky ishte shkasi që përfaqësuesit serbë pas këshillimeve me Beogradin, vendosën të tërhiqen nga të gjitha institucionet e Kosovës.
Kuvendi i Kosovës ka publikuar letrat e dorëheqjeve të deputetëve nga radhët e Listës Serbe që i ka përcjellë kryetari i kësaj partie, Igor Simiq.
Simiq ka falënderuar zyrtaren e Kuvendit Mersiha Hallaqi “për bashkëpunimin e deritashëm profesional”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u bëri thirrje të dielën qytetarëve serbë në veri që t’i rezistojnë trysnisë së Beogradit dhe të mos heqin dorë nga vendet e punës duke thënë se Serbia po përpiqet të destabilizojë Kosovën.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq hodhi poshtë të dielën të ketë ndikuar mbi serbët për t’u tërhequr nga institucionet ndërsa shfaqi shpresën se “Shtetet e Bashkuara do të vendosin që misioni i NATO-s në Kosovë, dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, do të kryejnë punën e policisë në veri të Kosovës”.
Ai shfaqi, siç tha, frikën se situata mund të përshkallëzojë “nëse amerikanët mendojnë që këtë punë mund ta bëjnë shqiptarët, e diçka e tillë nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vullnetin e popullit”./Telegrafi/